Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dëshiron ta shohë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, raportoi The New York Post, duke cituar burime pranë presidentit amerikan.
Sipas raportimit, marrëdhëniet mes Trumpit dhe Infantinos janë forcuar gjatë bashkëpunimit për organizimin e Kupës së Botës 2026. Burimi i gazetës thotë se Trump e vlerëson lart kreun e FIFA-s, duke besuar se ai “respektohet nga të gjithë në botë” dhe se ka “një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit”.
Mandati i sekretarit aktual të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfundon në fund të dhjetorit dhe zgjedhja e pasuesit të tij pritet të zhvillohet gjatë këtij viti.
Për të marrë këtë detyrë, kandidati duhet të sigurojë fillimisht miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i përbërë nga 15 anëtarë, ku pesë anëtarët e përhershëm kanë të drejtën e vetos. Më pas, kandidatura duhet të konfirmohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Infantino është i interesuar të kandidojë për këtë post apo nëse ka zhvilluar bisedime konkrete me Trump lidhur me këtë mundësi.
Sipas The New York Post, presidenti amerikan e sheh Infantinon si një kandidat me potencial të madh, veçanërisht në një garë ku kandidatët e tjerë konsiderohen “relativisht të dobët”, sipas një burimi të cituar nga gazeta amerikane.
D.L
