Pasditen e së shtunës bota e sportit, por jo vetëm, mbeti e shokuar pasi mesfushori i Danimarkës humbi ndjenjat në fushën e lojës në ndeshjen me Finlandën në Euro 2020.
Por për fatin e mirë të tij duket se gjithçka ka kaluar dhe ai është përmirësuar ndjeshëm, fal edhe reagimit të duhur dhe në kohë të mjekëve dhe shokëve të ekipit.
Me anë të agjentit të tij, Martin Shots, Eriksen ka reaguar në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”. “Ai ndihej i lumtur sepse pa përreth shumë njerëz që treguan dashuri ndaj tij. Atij i kanë ardhur shumë mesazhe nga e gjithë bota, jo vetëm nga shokët e skuadrës, por edhe nga tifozët”, tha Shots.
Më tej, ai zbulon edhe bisedën që Eriksen pati me shokët e tij të ekipit nga spitali. “Si jeni? E ndjej që jeni më keq se unë. Unë nuk dorëzohem, jam gati për tu stërvitur”.
Një ditë më parë, mjeku që i dha ndihmën e parë reagoi duke konfirmuar se lojtari pësoi një arrest kardiak.
“Eriksen është mirë dhe të gjitha kontrollet e kryera deri tani duken mirë. Por ende nuk ka një shpjegim për atë që ndodhi dhe kjo është një nga arsyet që ai është ende në spital. Ai ishte praktikisht i vdekur. Pësoi arrest kardiak dhe gjithçka më pas ndodhi shumë shpejt. Unë nuk jam një kardiolog dhe nuk mund të hyjë në detaje, duhet të flasim ekspertët e kësaj fushe”, tha mjeku.