Pozita e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s është tronditur ndjeshëm, vetëm pak javë pasi ai konsiderohej favorit absolut për të fituar një mandat të katërt në drejtimin e organizatës.
Sipas BBC Sport, aktualisht vetëm 73 nga 210 federatat anëtare të FIFA-s janë në mbështetje të Infantinos, ndërsa 124 janë kundër tij. 13 federata të tjera ende nuk kanë përcaktuar qëndrimin e tyre.
Megjithatë, këto shifra mund të ndryshojnë në muajt e ardhshëm, përpara zgjedhjeve.
Situata për Infantinon është përkeqësuar pas kundërshtimeve të forta ndaj planit të tij, tashmë të braktisur, për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave komerciale të Kupës së Botës dhe kompeticioneve të tjera të FIFA-s.
UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), të cilat së bashku përfaqësojnë 136 federata, kanë kritikuar ashpër FIFA-n dhe Infantinon, duke i akuzuar për shkelje të besimit dhe “mashtrim” lidhur me mënyrën se si është menaxhuar plani.
Kështu, ajo që deri vonë dukej si një garë e sigurt për Infantinon, tashmë është shndërruar në një betejë të pasigurt për mbijetesën e tij në krye të futbollit botëror.
D.L
