Mbrëmja finale e edicionit të 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina, më 9 qershor, solli lajmin e shumëpritur, Eleonida Elezi u shpall fituesja e Çmimit Special.
Gara pianistike u mbajt më 1 qershor, përpara një jurie prestigjioze të përbërë nga Sofya Gulyak dhe Marin Gjollma. Elezi, që studion nën drejtimin e profesoreshës Lejla Haxhiu Pula, shkëlqeu me performancën e saj dhe fitoi zemrat e jurisë.
Këtë vit, Çmimi Special u mbështet nga Sunny Hill Foundation, duke shënuar një partneritet të ri dhe të rëndësishëm për festivalin.
Në mbrëmjen përmbyllëse, maestro Giovanni Bellucci, një nga pianistët më të mirë në botë, mahniti publikun me performancën e tij. Kjo ngjarje madhështore u mbajt në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Ambasadën e Italisë në Prishtinë, duke përkuar me festimet për 25-vjetorin e çlirimit të Prishtinës./UBTNews/