Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë tri seanca gjatë kësaj jave, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur këtë të hënë.
Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi se ligjvënësit i pret një agjendë e ngjeshur me tema të rëndësishme për qytetarët.
Seanca e parë do të nisë të enjten, më 23 prill, në orën 10:00. Ndërkaq, dita e premte do të jetë e ndarë në dy pjesë: fillimisht do të mbahet një seancë solemne në nderim të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, i cili u nda nga jeta më 10 prill, dhe më pas do të vijohet me seancën e radhës ku në rend dite janë emërimet në bordet e RTK-së dhe KPM-së.
“Kemi vendosur që t’i mbajmë tri seanca të Kuvendit, secila prej tyre është më e rëndësishme se tjetra, kemi obligime para qytetarëve. Me këtë rast, e para mbahet më 23 prill nga ora 10:00, të tjerat mbahen të premten; njëra dedikuar për Eliot Engel si seancë solemne, tjetra me pika të rendit të ditës për Bordin e RTK-së, KPM-së dhe çështje të tjera”, deklaroi Haxhiu. /Ekonomia online/
