UBT News

Tri raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar tri raste të ndara të dhunës në familje në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Skenderaj, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e armëve.

Sipas raportit policor, rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë rreth orës 03:00, ku “është arrestuar një i dyshuar burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht viktimën grua kosovare”, me ç’rast i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Fushë Kosovë, ku një mosmarrëveshje ka agravuar në kanosje dhe sulm fizik.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ka sulmuar viktimën grua, e cila “ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”. Ky rast është cilësuar si “Dhunë në familje & kanosje”, duke reflektuar rrezikshmërinë e lartë të kanosjeve brenda ambienteve familjare.

Ndërkaq, në Skenderaj, policia ka ndërhyrë pas raportimeve për dhunë të vazhdueshme psikike.

“I dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare”.

Gjatë hetimit të këtij rasti, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa parandaluese duke konfiskuar dy armë zjarri dhe 12 fishekë, për të cilat i dyshuari posedonte leje.

Për dallim nga dy rastet e para, me vendim të prokurorit, ky rast në Skenderaj “vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”.

 

Exit mobile version