UBT News

Tri raste te dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në Istog, Pejë dhe Malishevë, të cilat kanë rezultuar me arrestime dhe hetime të vazhdueshme.

Në qytetin e Istogut, një person është shpallur në kërkim policor nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Sipas raportit, viktima është intervistuar nga hetuesit, ndërsa njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit, i cili ndodhet në arrati.

Një rast është regjistruar në Pejë, ku policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur disa viktima. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Për këtë rast janë njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Malishevë është arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër brenda familjes. Pas procedurave të intervistimit, prokurori kujdestar ka vendosur që i dyshuari të lirohet dhe rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Exit mobile version