Vetëm brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar tri raste të ndryshme të dhunës në familje në rajonin e Pejës dhe të Gjakovës, të cilat kanë çuar në arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një të mituri.
Rasti i parë është regjistruar në Pejë, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës. Sipas Policisë, një person është arrestuar pasi i njëjti, në gjendje të dehur, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.
Ndërkaq, dy raste të tjera të dhunës janë raportuar në komunën e Gjakovës. Në njërin prej tyre, një djalë i mitur ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Sipas raportit policor, viktima nuk ka pësuar lëndime që kërkonin tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari i mitur ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati. Rasti është duke u hetuar me intensitet nga njësitet përkatëse.
Po në Gjakovë, gjatë pasdites së të mërkurës është raportuar edhe një tjetër rast i dhunës brenda familjes. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor ku është intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit, edhe ai është dërguar në mbajtje. /E.A/
