UBT News

Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar tri raste të ndryshme të dhunës në familje në rajone të ndryshme të vendit, të cilat kanë rezultuar me arrestime dhe shoqërime në polici.

Rasti i parë është raportuar në Kamenicë, ku një person është vënë në pranga pasi dyshohet se ka përndjekur dhe shqetësuar vazhdimisht një grua. Sipas policisë, i dyshuari e ka shqetësuar viktimën përmes telefonatave të njëpasnjëshme dhe duke e përcjellë nëpër vendet që ajo frekuentonte. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar menjëherë në mbajtje.

Një tjetër rast ka ndodhur në Fushë Kosovë, rreth orës 11:50, ku një burrë është shoqëruar në stacionin policor nën dyshimin për dhunë në familje ndaj një gruaje. Pas intervistimit të të dyja palëve, prokurori ka vendosur që ata të lirohen, ndërsa rasti ka kaluar për hetim në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Vushtrri, rreth orës 18:30, një fjalosje mes dy burrave ka përfunduar me ndërhyrjen e forcave të rendit. Policia ka arrestuar dy të dyshuarit e përfshirë në konflikt, ku pas konsultimit me prokurorin, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt. /E.A/

Exit mobile version