Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë regjistruar tri raste të dhunës në familje në qytetet e Pejës, Rahovecit dhe Skenderajt.
Në rastin e parë në Pejë, një burrë dhe një grua dyshohen se kanë ushtruar dhunë psikike ndaj një viktime femër.
Lidhur me këtë ngjarje, e dyshuara është arrestuar, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet ende në kërkim policor.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Rahovec është raportuar se një grua ka pranuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese nga një i dyshuar mashkull, rast i cili aktualisht ndodhet nën hetime. Ndërsa në Skenderaj, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
