Policia e Kosovës ka njoftuar për tre raste të reja të dhunës në familje dhe sulmit, të ndodhura gjatë ditës së djeshme në Pejë dhe Mitrovicë të Veriut.
Rasti i parë në Pejë është regjistruar rreth orës 14:40, ku policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se pas një fjalosjeje ka sulmuar viktimat. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po në Pejë, rreth orës 22:05, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një mashkull. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar goditjen, me arsyetimin se ajo kishte goditur më parë një person tjetër. Viktima ka zgjedhur me vullnetin e saj të qëndrojë te familja e saj, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit kujdestar.
Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut, rreth orës 14:20, është arrestuar një person pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy viktima. Të dëmtuarit kanë pranuar tretman mjekësor për lëndimet e pësuara, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Të gjitha rastet po vazhdojnë të hetohen nga njësitë përkatëse policore. /E.A/
