UBT News

Tri partitë opozitare kërkojnë konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit

Përfaqësuesit e tri partive opozitare Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) — po kërkojnë që vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur.

Në një konferencë të përbashkët për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, dhe ai i AAK-së, Besnik Tahiri, i bënë ftesë publike kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të ushtrojë përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe të thërrasë vazhdimin e seancës në orën 11:00.

Deputeti Arian Tahiri konfirmoi se PDK-ja ka parashtruar edhe kërkesë zyrtare pranë kryesuesit.

“Kryesuesi duhet ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën, si dhe ta thërrasë seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti e të rikthehet normaliteti. Po ashtu, i kemi ftuar të gjitha subjektet e tjera politike që të jenë të pranishme në orën 11:00.”Nga ana tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se, pas sqarimit të qëndrimit të saj rreth negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk sheh më asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e institucioneve.

Gjatë adresimit, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e cilësoi bllokadën aktuale si një situatë emergjente për vendin, duke akuzuar për përpjekje të qëllimshme për parandalimin e funksionimit të Kuvendit.

“Rrethanat në të cilat ndodhet sot Kuvendi i Republikës së Kosovës tregojnë jo vetëm për një emergjencë kombëtare, por për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues. Kjo po pamundëson ushtrimin e mandatit të deputetit, aty ku na ka dhënë besimin sovrani,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se opozita do të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike nëse situata nuk zhbllokohet. /E.A/

 

Exit mobile version