Menaxheri i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, është duke bërë përpjekje ta dërgojë portugezin në Manchester City, por kampioni i Premierligës duhet t’i plotësojë tri kushte për ta blerë atë.
Marrëveshja e Ronaldos me Juventusin mbaron në verën e vitit 2022, por 36-vjeçari po bën trysni të largohet tani, megjithëse klubi këmbëngul se ai asnjëherë nuk e ka kërkuar largimin.
Mediat italiane raportojnë se Manchester City është klubi i vetëm që ka shprehur interesim për ta blerë Ronaldon, por koha po ikën për gjigantin anglez për arritjen e një marrëveshjeje.
Afati kalimtar i verës mbyllet me 31 gusht, por kjo nuk është e vetmja gjë që e bën të vështirë marrëveshjen.
Sky Sport Italia raporton se City nuk dëshiron ta paguajë Juventusin për Ronaldon, derisa gjiganti italian i kërkon rreth 30 milionë euro për ta liruar portugezin.
Si alternativë, Juve është e hapur ta marrë Gabriel Jesusin në një marrëveshje shkëmbimi, por City nuk dëshiron ta largojë brazilianin.
Skuadra e Pep Guardiolës duhet ta shesë ndonjë futbollist për ta marrë Ronaldon dhe, sipas mediave italiane, Sterling mund të largohet, por, përsëri, City nuk ka mjaftueshëm kohë për ta shitur anglezin.