Palestra “Minatori” në Mitrovicë do të jetë nikoqire e spektaklit të fianles së pestë ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit, ku edhe do të përcaktohet kampioni i ri i Kosovës në basketboll.
Pas katër finaleve të zhvilluara, rezultati mes dy klubeve është 2-2, ndaj finalja e pestë do të qartësojë gjithçka.
E një ditë para ndeshjes, klubi mitrovicas u ka bërë thirrje tifozëve për mbështetje sa më të madhe në këtë finale.
“Shumë festa e shumë gëzime kishim gjatë edicionit 2023/24, të cilin e përmbyllim me ndeshjen vendimtare ndaj Golden Eagle Yllit, të enjten nga ora 19:00. Jemi një fitore larg synimit madhor – titullit të kampionit të Kosovës. Me ju në krahë, jemi një fitore afër titullit. Na presin 40 minuta të zjarrtë, 40 minuta angazhim maksimal, përkushtim, dëshirë e vetëmohim. Por edhe 40 minuta të përkrahjes së paparë nga tribunat, nga lojtari ynë i gjashtë, nga tifozët që i ka lakmi secili klub në Evropë… nga ata që janë lokomotivë e Trepçës së madhe. (Vërejtje: Biletat dalin në shitje të enjten në ora 9:00. Një person ka të drejtën e blerjes së dy biletave. Biletet shiten për personat mbi 16 vjet. Bileta VIP, njëjtë si biletat e zakonshme, vlejnë vetëm për një person) Të gjithë së bashku, lojtarë e tifozë, si një trup i vetëm! Për Mitrovicën, Për qytetin e minatorit, Për secilin mitrovicas kudo në botë, Për TREPÇËN kampione”, thuhet në thirrjen e klubit mitrovicas.