Skuadrat kosovare të basketbollit, Trepça dhe Bashkimi, vazhdojnë garat në FIBA Europe Cup, ku të dyja mbeten në garë për kualifikim në fazën e ardhshme të kompeticionit evropian.
Kampionia e Kosovës, Trepça, ka rikthyer formën pozitive pas dy fitoreve të rëndësishme, fillimisht ndaj Splitit në Kroaci më 14 tetor dhe më pas ndaj Opavas çeke me rezultat 89:80, në palestrën “Minatori”, më 21 tetor.
Pas tri xhirove, skuadra mitrovicase renditet në pozitën e tretë të Grupit A me pesë pikë, aq sa ka edhe Patrasi grek në vendin e dytë. Ndërkohë, Trieri gjerman kryeson grupin me gjashtë pikë, pas tri fitoreve radhazi.
Ndeshjen e ardhshme, Trepça do ta zhvillojë të mërkurën nga ora 17:00 në Tbilisi, ku do të përballet me Batumin e Gjeorgjisë.
Një fitore eventuale do t’i rriste ndjeshëm gjasat e “xehetarëve” për avancim në fazën tjetër, ku kualifikohen dy skuadrat e para të grupit pas përfundimit të dhjetë xhirove.
Trepça po kalon një periudhë pozitive edhe në kampionatin vendor, ku ka regjistruar tri fitore radhazi. Përballja në Gjeorgji pritet të shënojë edhe debutimin e përforcimit të ri, JP Tokoto.
Në anën tjetër, Bashkimi i Prizrenit do të luajë para tifozëve të vet, duke pritur skuadrën franceze Elan Chalon në palestrën “Sezai Surroi”, të mërkurën nga ora 19:00.
Skuadra prizrenase ka regjistruar një fitore ndaj Valmieras së Letonisë dhe një humbje nga Kalevi estonez, ndërsa ndeshja ndaj Manchesterit është shtyrë për shkak të problemeve me viza.
Grupi F mbetet mjaft konkurrues, me Korfezin turk, Kalevin dhe Elan Chalonin që kanë nga dy fitore dhe një humbje.
Bashkimi vjen në këtë përballje pas një fitoreje të vështirë ndaj Pejës në Superligën e Kosovës dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive edhe në arenën ndërkombëtare.
Të dyja skuadrat kosovare do të kërkojnë rezultate pozitive në ndeshjet e radhës, me synimin për të siguruar një vend në fazën tjetër të FIBA Europe Cup.
D.L
