Trepça, Bashkimi dhe Peja kanë mësuar kundërshtarët e tyre në edicionin 2026/27 të FIBA Europe Cup, pas shortit të hedhur të enjten në Munih të Gjermanisë.
Kampionia e Kosovës, Trepça, është shortuar në Grupin A, ku do të përballet me Promitheas Patras (Greqi), Opava (Çeki), VET-CONCEPT Gladiators Trier (Gjermani), Split (Kroaci) dhe Batumi 2010 (Gjeorgji).
Bashkimi do të garojë në Grupin F, ku kundërshtarë do t’i ketë Bigbank/Kalev (Estoni), Glint Manisa Basket (Turqi), Elan Chalon (Francë), Valmiera Glass VIA (Letoni) dhe Manchester Basketball (Britania e Madhe).
Ndërkohë, Peja do ta nisë aventurën evropiane nga raundi kualifikues, ku do të përballet me Dinamo Bukureshtin e Rumanisë. Ndeshjet do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ndërsa fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.
Sipas kalendarit të garës, ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen më 23 dhe 30 shtator, ndërsa faza e grupeve të FIBA Europe Cup për edicionin 2026/27 do të nisë më 7 tetor.
D.L
