Pas angazhimeve në garat evropiane, Trepça dhe Bashkimi rikthehen në parketin e Superligës së Kosovës në basketboll, ku këtë fundjavë i pret një përballje e drejtpërdrejtë për kreun e tabelës.
Kampioni dhe nënkampioni i Kosovës do të përballen të dielën, nga ora 17:00, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, në kuadër të xhiros së dhjetë të elitës së basketbollit kosovar.
Trepça vjen në këtë përballje pas fitores ndaj Splitit të Kroacisë në FIBA Europe Cup, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në Mitrovicë.
Në anën tjetër, Bashkimi pësoi humbje në shtëpi nga Manchesteri i Anglisë, duke e mbyllur rrugëtimin në garën evropiane.
Megjithatë, prizrenasit kanë aktualisht pozitën e parë në kampionat me 16 pikë, aq sa kanë edhe Trepça në vendin e dytë dhe Bora në të tretin. Bashkimi kryeson falë koshdallimit më të mirë.
Në përballjen e parë të këtij edicioni, të zhvilluar në Prizren në kuadër të xhiros së tretë, Bashkimi kishte triumfuar me rezultat 84:76.
Xhiroja e dhjetë nis të shtunën me dy ndeshje. Nga ora 17:00, në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Golden Eagle Ylli e pret Sigal Prishtinën. Ylli renditet i katërti me 14 pikë, ndërsa Prishtina zë vendin e pestë me 12 pikë.
Nga ora 19:30, Rahoveci 029 përballet me Borën e Prishtinës. Rahovecianët ndodhen në fund të tabelës me 11 pikë, aq sa kanë edhe Peja në pozitën e gjashtë dhe Vëllaznimi në të shtatën.
Xhiroja përmbyllet të dielën me duelin Vëllaznimi – Peja, që zhvillohet nga ora 19:30 në Gjakovë.
Peja synon t’i japë fund serisë prej shtatë humbjesh radhazi në kampionat, ndërsa Vëllaznimi kërkon të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas.
Ndërkohë, te skuadra pejane ka pasur edhe zhvillime në përbërjen e ekipit. Klubi ka suspenduar basketbollistin Daquan Bracey, ndërsa ka zyrtarizuar transferimin e Kyan Andersonit.
D.L
