Ndihmëstrajnerja e përfaqësueses U17 të Kosovës në konkurrencën e femrave, Trendelina Gashi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm organizimin e Kampionatit Ballkanik në Kosovë, duke theksuar se një ngjarje e tillë është dëshmi e kapaciteteve organizative të vendit.
Sipas saj, organizimi i këtij kampionati jo vetëm që promovon volejbollin kosovar, por shërben edhe si motivim për gjeneratat e reja që të merren me sport.
“Është shumë e rëndësishme për Kosovën, sepse tregon që kemi kapacitet me organizu gara ndërkombëtare. Kjo e promovon volejbollin tonë dhe i motivon edhe gjeneratat e reja”, u shpreh Gashi.
Ajo shtoi se besimi i fituar nga organizimet ndërkombëtare po reflektohet edhe në ngjarjet e mëdha sportive që e presin Kosovën në të ardhmen.
“Gjithashtu, fakti që Kosova do t’i organizojë edhe Lojërat Mesdhetare 2030 tregon se sporti ynë po zhvillohet dhe po fitojmë besimin për organizime gjithnjë e më të mëdha”, theksoi ndihmëstrajnerja e Kosovës.
Kampionati Ballkanik U17 në konkurrencën e femrave po zhvillohet në Kosovë, duke mbledhur ekipet më të mira të rajonit dhe duke i ofruar volejbollit kosovar një mundësi të rëndësishme për promovim në arenën ndërkombëtare.
D.L
