Kryetarja e Dhomate të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka reaguar përmes një video-mesazhi publik ndaj kritikave dhe dezinformatave lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e këtij institucioni gjyqësor. Reagimi i saj vjen pas vendimeve të fundit gjyqësore, reagimeve publike dhe ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës.
Trendafilova nënvizoi se Gjykata e Hagës ushtron mandatin e saj në mënyrë plotësisht të pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje apo presion politik, duke garantuar procedura të drejta, të paanshme si dhe mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat.
Sipas kryetares së Dhomave të Specializuara, kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, mirëpo sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë apo zbatojnë ligjin. Ajo shtoi se të gjithë gjyqtarët janë profesionistë me integritet të lartë nga shtetet e BE-së dhe vendet kontribuuese, të cilët zbatojnë konventat ndërkombëtare dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për të drejtat e të akuzuarve, Trendafilova rikujtoi se mbrojtja juridike dhe mbikëqyrja e vendimeve garantohen përmes shkallëve të ankesave në Apel, Gjykatën Supreme, si dhe në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese — mjete këto që, sipas saj, janë shfrytëzuar me sukses nga të pandehurit në disa aktgjykime. /E.A/
