Pas një faze kualifikuese fantastike për Euro 2024 dhe një paraqitjeje të shkëlqyer me Empolin në Itali, Ardian Ismajli, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, ka përjetuar një “shije të hidhur” pasi nuk ka luajtur asnjë minutë në Kampionatin Evropian të Gjermanisë. Megjithatë, duket se kjo nuk ka zbehur shkëlqimin e tij në arenën ndërkombëtare.
Përkundrazi, Ismajli është tani në qendër të vëmendjes së një klubi të madh evropian dhe një nga më të njohurit në Ballkan. Besiktasi, një nga “gigantët” e futbollit turk, ka shprehur interes të fortë për shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Ky interes ka ardhur në një kërkesë të veçantë nga tekniku holandez i Besiktasit, Giovanni Van Bronckhorst, i cili e ka kërkuar me ngulm 27-vjeçarin për të forcuar mbrojtjen e skuadrës për sezonin e ri.
Besiktasi është i gatshëm të investojë për të sjellë Ismajl në Stamboll dhe tashmë ka filluar negociatat me klubin e tij të tanishëm, Empolin, për të arritur një marrëveshje. Nëse transferimi realizohet, Ismajli do të bashkohet me dy “yje” të tjerë shqiptarë në Besiktas, Ernest Muçi dhe Milot Rashica, duke përforcuar kështu lidhjet shqiptare në ekipin turk.
Kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për Ismajl, i cili ka treguar cilësi të larta në fushë dhe do të përbënte një forcë të rëndësishme në mbrojtjen e Besiktasit për sezonin e ardhshëm. Klubi turk shpreson që ky transferim do t’i ndihmojë në arritjen e objektivave të tyre të sezonit dhe për të konkurruar në nivele të larta në ligën turke dhe në kompeticionet ndërkombëtare./UBTNews/