Kontratat e gazit me Britaninë e Madhe për dërgesat në muajin nëntor u rritën me thuajse 40% përpara se të uleshin sërish pas komenteve të presidentit rus, Vladimir Putin.
Tregjet e gazit pësuan luhatje të theksuar të mërkurën pasi presidenti i Rusisë Vladimir Putin u shpreh se shteti i tij ishte i gatshëm të stabilizonte çmimet gjithnjë në rritje të energjisë nëpër botë që kërcënojnë të ulin aktivitetin industrial dhe të rrisin në mënyrë të theksuar inflacionin.
Çmimet e gazit natyror në Britaninë e Madhe dhe Evropë pësuan rritje në fillim të ditës duke arritur thuajse në një çmim 10fish më të lartë se ai në fillim të vitit. Por çmimet ranë menjëherë gjatë orëve në vazhdim kur Putin tregoi se kompania monopol e eksportit të gazit e mbështetur nga shteti rus, Gazprom-i, mund të rrisë furnizimin me gaz në Evropë për të shmangur një krizë shkatërrimtare energjie.
Le të mendojmë për mundësinë e rritjes së ofertës në treg, vetëm se duhet të jemi shumë të kujdesur. Duhet të ulemi me Gazprom-in dhe ta diskutojmë”, tha Putin.
“Kjo çmenduri spekulative nuk na bën fare mirë.”
Tregtarët e gazit shprehen se një prej arsyeve të rritjes së çmimeve është se Rusia kufizon furnizimin me gaz në Evropë në nivelin e kontratave afatgjata, duke çuar kështu në rënie të depozitave të gazit të Gazprom-it në kontinent në një nivel shumë të ulët.
Putin tha se këtë vit Gazprom-i po tejkalonte detyrimet kontraktuale për furnizim me gaz nëpërmjet Ukrainës.
Deklaratat e tij dukej se synonin të adresonin kritikat nga ana e Evropës se Rusia po frenon furnizimin ndërkohë që pret miratimin për gazsjellësin e ri të debatueshme Nord Stream 2, i cili shmang Ukrainën për të çuar gazin në Gjermani. Ky projekt shkoi shumë pranë realizimit të mërkurën pas një mendimi juridik në BE.
Kontratat e gazit në Britaninë e Madhe për dërgesat në Nëntor u rritën me thuajse 40% pasi tregu arriti deri në 4 sterlina për njësi termike në fillim të ditës, ndërkohë që në fillim të vitit ishte nën 50 peni.
Megjithatë, pas ndërhyrjes së Putinit, çmimi ra me 9%, duke shkuar në 2.71 sterlina.
Industria e gazit u trondit nga luhatjet në çmim. Tom Marzec-Manser nga ICIS, një kompani konsulence, tha se ajo ishte “dita më e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme që kanë për të përjetuar shumë prej personave në industri”.
Çmimet e gazit natyror në Britaninë e Madhe pësuan rënie të theksuar të mërkurën.
Jennifer Granholm, sekretare energjie në SHBA u shpreh për Financial Times se SHBA-të po shikojnë “me kujdes” rolin e Rusisë në krizën e gazit në Evropë dhe po përpiqen të gjejnë mënyra për të ndihmuar, përfshirë vlerësimin nëse Gazprom-i po manipulon tregun. “Nuk do të shikosh energjinë të kthyer në armë,” u shpreh ajo.
Ukraina dhe shtete të tjera të Evropës lindore kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet të kthejw burimet e gazit “në armë”.
Ministri Polak i klimës Adam Guibourgé-Czetwertyński i bëri thirrje Komisionit Evropian të hetoi çfarë i quajti si “shenja të qarta të manipulimit të tregut” nga Gazprom-i. Duke folur në një takim të ministrave të BE-së të mërkurën, ministri u shpreh: “Duhet të jemi të prerë para kërcimit Rus.”
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u shpreh se “Rusia nuk ka asnjë rol në çfarë po ndodh me tregun e gazit.”
Angela Merkel u duk se i ofroi mbështetje Moskës, duke thënë se “ky nuk është rasti” që Rusia nuk ka bërë furnizime sipas porosive. “Rusia mundet të dërgojë gaz vetëm në bazë të detyrimeve kontraktuale”, tha kancelaria Gjermane. “Prandaj duhet të pyesim: u porosit mjaftueshëm gaz, apo mos ndoshta çmimi i lartë në këtë çast është arsyeja e porositjes së ulët?”
Çmimet rekord të gazit natyral janë një prej simptomave të luftës globale për të siguruar furnizime me karburant pasi kërkesa u rrit në mënyrë të theksuar nga thellësitë e pandemisë. Çmimi i qymyrit, i cili përdoret për të prodhuar elektricitet dhe për ngrohje, ka tejkaluar po ashtu pikun e të gjithë kohërave të vendosur më 2008.
“Një krizë energji po shpaloset para nesh ndërkohë që dimri në hemisferën veriore nuk ka filluar ende”, tha Stephen Brennoock i PVM-së, një kompani investimi energjetik në Londër.
Prodhimi i brendshëm i gazit në Evropë ka rënë në mënyrë të menjëhershme, ndërsa kërkesa në Azi është rritur pasi shtetet janë duke kërkuar vazhdimisht për alternativa për qymyrin i cili shkakton shumë ndotje, duke çuar në këtë mënyrë në një luftë ofertash për ngarkesa me gaz natyral të lëngshëm.
Rritja e çmimeve të energjisë është duke rritur shqetësimet për inflacionin i cili ka ulur çmimin e bondeve të qeverive, sidomos në Britaninë e Madhe.
Britania e Madhe duket më e prekur nga çmimet rekord të gazit në krahasim me shtete të tjera Evropiane pasi ka kapacitete ruajtje të kufizuara, duke e lënë të varur në prodhimin e brendshëm, thuajse në kohë reale dhe në importe nëpërmjet gazsjellësve dhe anijeve.
Shumica prej shtëpive në Britaninë e Madhe ngrohen me gaz natyror dhe shteti ka fikur shumicën e stacioneve të energjisë që punojnë me qymyr, ndërsa ka shtuar stacione energjie të rinovueshme si fermat e erës.
Në ditë të qeta kur prodhimi i energjisë me anë të erës është i ulët, gazi mund të përbëjë më shumë se 50% të prodhimit të gjithë elektricitetit.
Evropa është po ashtu duke vuajtur nga çmimet shumë të larta të energjisë elektrike si rezultat i rritjes së kostove të energjisë. BE-ja u shpreh të mërkurën se do të rishikonte tregun energjetik rajonal dhe do të konsideronte ndryshime në rregullore.
Kompania franceze e materialeve ndërtimore Saint-Gobain ditën e mërkurë vuri në dukje ndikimin tek korporatat duke thënë se pritet që kostoja e energjisë dhe materialeve bruto të shkaktonin inflacion diku te €1.5 miliard në 2021, duke u rritur nga përllogaritja e kaluar që ka qenë diku te €1.5 miliard në 2021-shin.TCH