UBT News

Tre vjet nga sulmi në Banjskë: Kurti kujton heroin Afrim Bunjaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, heroin Afrim Bunjaku, në përvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se Republika e Kosovës ka triumfuar mbi agresionin dhe krimin.

Përmes një shkrimi në facebook, Kurti vlerësoi lart sakrificën e Bunjakut, i cili ra në krye të detyrës në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të vendit, ndërsa vuri në dukje profesionalizmin e organeve të sigurisë në neutralizimin e planit për destabilizimin e veriut.

“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Shefi i qeverisë rikujtoi se rruga ku ndodhi sulmi sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku, ndërsa konfirmoi përkushtimin e shtetit për t’i çuar të gjithë përgjegjësit para drejtësisë.

“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, nënvizoi kryeministri.

Historiku i ngjarjes në Banjskë

Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, një grup i armatosur dhe mirëorganizuar paraushtarak vuri prata bllokuese në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit. Gjatë përpjekjes së Policisë së Kosovës për të hequr barrikadat, grupi terrorist hapën zjarr me armë të rënda dhe mjete shpërthyese, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy zyrtarë të tjerë policorë.

Pas sulmit fillestar, pjesëtarët e grupit terrorist u barrikaduan brenda kompleksit të Manastirit të Banjskës. Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës ndërmorën një operacion të gjerë kundërterrorist, nga i cili mbetën të vrarë tre pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa disa të tjerë u arrestuan. Pjesa më e madhe e grupit, përfshirë udhëheqësin e tyre Milan Radoiçiq, u arratis drejt territorit të Serbisë, duke lënë prapa një arsenal të madh ushtarak me vlerë miliona eurosh. Ngjarja u dënua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

 

Exit mobile version