Platforma krypto e cila u demaskua publikisht nga komuniteti i kriptomonedhave pasi kishte mashtruar investitorë të shumtë duke ju marrë mëse 2 miliardë dollarë, është paditur pas tre vitesh nga mbyllja nga Komisioni Amerikan i Bursave dhe Letrave me Vlerë (SEC).
Në shënjestrën e SEC nuk është vetëm BitConnect dhe themeluar Satish Kumbhani, por edhe promovuesi Glenn Arcaro dhe firma e tij Future Money për shkelje të Aktit për Shkëmbimin e Letrave me Vlerë që detyron kompanitë që shesin produkte investimi në SHBA të regjistrohen pranë këtij autoriteti.
Në fillim të vitit SEC paditi edhe tre promovues të tjerë të BitConnect të cilët kishin marrë monedha BCC për të tërhequr investitorë të rinj në skemë. Në Gusht të akuzuarit Joshua Jeppesen, Michael Noble dhe Laura Mascola pranuan të paguajnë një gjobë prej 190 bitcoin ose 9.25 milionë dollarë plus 3.5 milionë dollarë të tjera në kesh për të mbyllur çështjen.
Lançuar në 2016-ën, BitConnect prezantohej si një platformë kredie në kriptomonedha. Përdoruesit duhet të depozitonin Bitcoin për të marrë një kredi nga platforma në monedhën BCC ndërsa në fund investitorët do të rimerrnin paratë e tyre tashmë të dyfishuara.
SEC thotë se ishte një skemë e pastër Ponzi ku paratë e investitorëve të rinj përdoreshin për të paguar investitorët e vjetër. Dhe nuk bëhet fjalë për pak para, por diçka më shumë se 325 mijë bitcoin ose 2 miliardë dollarë për kohën. Sot këto bitcoin vlejnë 15 miliardë dollarë.
Agjencia tashmë ka kërkuar nga Gjykata e Distriktit Jugor të Nju Jorkut që të akuzuarit tani të kthejnë të gjitha paratë. BitConnect u mbyll në 2018-ën pasi autoritetet lokale të Teksasit dhe Kalifornisë urdhëruan bllokimin e saj duke bërë që shumë njerëz tashmë ta shikonin si mashtrim.
Edhe pse BitConnect thoshte se monedha e platformës BCC do të vazhdonte të jetonte nëpër bursa, vlera e saj ra nga 425 dollarë në 29 dollarë vetëm 10 ditë më pas.
Edhe pse BitConnect si shumë platforma të tjera janë zhdukur nga memoria, SEC nuk ka harruar. Këtë vit SEC ka hapur hetime e nisur padi ndaj shumë projekteve të ngjashme dhe ICO-ve të cilat joshën investitorë gjatë viteve 2017-2018. /PCWorld Albanian