Policia e Kosovës ka njoftuar për tre raste të ndara të dhunës në familje të regjistruara në Prishtinë, Ferizaj dhe Pejë.
Në Prishtinë, një burrë është shoqëruar në stacionin policor pasi, pas një mosmarrëveshjeje, dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në Ferizaj, një grua ka raportuar se është kanosur nga një burrë me të cilin kishte bashkëjetuar më herët. Sipas policisë, i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Një rast tjetër i kanosjes është raportuar edhe në Pejë, ku një grua është kërcënuar përmes telefonit nga ish-bashkëshorti i saj, një burrë që jeton në Gjermani. Edhe për këtë rast, me vendim të prokurorit, procedurat po zhvillohen në mënyrë të rregullt. /E.A/
