Numri i të vdekurve në Nepal nga përmbytjet shkatërruese në kufi me Tibetin ka kaluar 1,000 personat, sipas agjencisë kombëtare të fatkeqësive. Më shumë se 3,900 njerëz mbeten ende të zhdukur, prej të cilëve mbi 600 janë punëtorë që besohet se janë të bllokuar në një rrjet të madh tunelesh të mbushura me baltë në hidrocentralet përgjatë lumit Trishuli.
Inxhinierët kanë pompuar ajër në tunele. Edhe pse një ekip arriti të hynte në njërin prej tyre, ata u tërhoqën pasi nuk gjetën asnjë njeri aty.
“Uroj ta gjejmë. Uroj të kthehet në shtëpi”, tha për BBC Nepali Anushila Bhandari, bashkëshortja e Aurus Bhandari-t, një inxhinier 33-vjeçar i zhdukur në kantierin e punës.
Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, deklaroi të hënën se 279 persona janë shpëtuar nga kantiere të ndryshme. Operacioni i shpëtimit po udhëhiqet nga një ekip ndërkombëtar me pjesëtarë të ushtrisë kineze dhe nepaleze, i mbështetur gjithashtu nga ekspertë nga India, Korea dhe Australia.
“Kam ende 50% shpresë se ai është gjallë sepse brenda ka një sistem oksigjeni”, tha për gazetën nepaleze Kantipur Sita Pandey, bashkëshorti i së cilës punonte në impiant kur goditën përmbytjet.
Nepali varet shumë nga energjia hidrike dhe ka kaluar vite të tëra duke zhvilluar projekte përgjatë sistemeve të tij lumore malore. Autoritetet njoftuan se të paktën 11 projekte (të përfunduara ose në ndërtim e sipër) janë dëmtuar nga përmbytjet.
Pavarësisht se kërkuesit nisën pompimin e ajrit gjatë fundjavës, familjarët e të bllokuarve thonë se kjo duhej të ishte bërë më herët.
“Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë zbehet shpresa jonë. Ky operacion duhet të lëvizë shumë më shpejt sepse çdo sekondë është e çmuar për ne,” tha Jiban Khadka për Kantipur. “Është një operacion frustrues nga ngadalsia”.
Kryeministri Shah konfirmoi se kërkimet janë intensifikuar, duke theksuar se këto përmbytje nuk ishin një ngjarje e zakonshme.
“Ky incident tregon se rreziqet me të cilat përballemi në rajonin e Himalajeve po rriten paralel me ndryshimet klimatike. Është koha t’i ngremë fuqishëm para komunitetit ndërkombëtar fatkeqësitë që po përjetojmë si rezultat i ndryshimit të klimës”, shkroi Shah në një postim në Facebook late të hënën.
Në pritje anksioze të lajmeve është edhe Priya Kharel, vëllai i së cilës, Milani, punonte si inxhinier në impiantin Upper Trishuli-1.
“Ata që u kthyen nga kantieri i hidrocentralit thanë se kishte njerëz brenda tunelit,” tha ajo për BBC News Nepali. “Kështu që ka ende shpresë se nëse ushtria arrin shpejt te ata, mund të shpëtohen”. /BBC/
