UBT News

“Trashëgimia letrare e Dritëro Agollit”, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit

Një ngjarje e veçantë u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, e cila e kushtoi aktivitetin e saj figurës më të madhe të letërsisë shqipe të pas shekullit XX, Dritëro Agollit. Aktiviteti, i titulluar “Trashëgimia letrare e Dritëro Agollit”, mblodhi studiues dhe lexues, të cilët bënë një analizë të thelluar të krijimtarisë së këtij shkrimtari të shquar, që e ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në historinë letrare të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit në aktivitet diskutuan shumë dimensione të figurës dhe veprës së Agollit, duke theksuar jo vetëm cilësinë e lartë artistike, por edhe ndikimin e tij të vazhdueshëm në letërsinë shqipe. Profesor Behar Gjoka, një nga studiuesit më të njohur të letërsisë shqiptare, e përqendroi analizën e tij kryesisht në prozën e shkrimtarit, duke u fokusuar te romanet e tij më të njohura, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me top”. Ai e cilësoi satirën e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” si një akt të qartë rebelimi ndaj kohës dhe regjimit, një pasqyrë e qartë e shoqërisë së asaj periudhe. Po ashtu, për romanin “Njeriu me top”, ai theksoi se ky ishte një studim i thellë dhe një analizë sociale e jetës në fshat, marrëdhënieve njerëzore, zakoneve dhe pasioneve të njerëzve të thjeshtë, përballë atyre që kërkonin të mbijetonin në një realitet të ndërlikuar.

Në vijim, studiuese e njohur Rovena Vata ndau mendimet e saj për poezinë e Dritëro Agollit, duke nënvizuar pasurinë dhe larminë e saj. Ajo u ndal veçanërisht te dimensioni lirik i krijimtarisë së Agollit, i cili mbizotëronte në shumë pjesë të poezisë së tij. Për Vata-n, liria e shpirtit të shkrimtarit pasqyrohej në vargjet e tij, që shpeshherë linin pas vetes një ndjesi të thellë e të gjallë për jetën, natyrën dhe njerëzit.

Një tjetër pjesëmarrës, pedagogia Anila Mullahi, u fokusua në analizën e krijimtarisë së Dritëro Agollit pas viteve ’90, e cila sipas saj, nuk është analizuar aq shumë, ndonëse ka një vëllim të konsiderueshëm dhe ka mbajtur një rëndësi të veçantë. Në këtë kuadër, ajo theksoi veprën “Arka e djallit”, të cilën e konsideroi si një kryevepër të shkruar nga Agolli pas periudhës së diktaturës. Sipas Mullahisë, kjo vepër përbën një nga piket kryesore të krijimtarisë së tij të periudhës pas vitit 1990 dhe mbetet një prej veprave më të spikatura të letërsisë shqiptare të pas luftës.

Aktiviteti në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit shënoi një tjetër moment të rëndësishëm për t’u njohur më thellë me jetën dhe veprën e Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm për letërsinë shqipe, si dhe për kulturën dhe identitetin kombëtar.

Exit mobile version