Një moment historik në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore u regjistrua sot me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) të Shqipërisë dhe Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM) të Kosovës.
Kjo marrëveshje e rëndësishme synon të forcojë bashkëpunimin në restaurimin dhe konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të dy vendeve.
Memorandumi thekson angazhimin për përmirësimin e metodologjive dhe teknikave në fushën e restaurimeve, duke i dhënë një fokus të veçantë objekteve që kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky bashkëpunim ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e historisë dhe kulturës së këtyre objekteve, duke përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet e të dy palëve në këtë sektor të rëndësishëm.
Pjesë e këtij nënshkrimi ishte dhe dhurata simbolike nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore për arkivin e AMMKM, e cila përfshin revistat “Monumentet” dhe “Arkeologjia”. Ky akt dhurimi synon të pasurojë bibliotekën e AMMKM-së dhe të ndihmojë në shkëmbimin e përvojave të vlefshme për rritjen e kapaciteteve në fushën e restaurimeve, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Kjo marrëveshje e rëndësishme është një hap përpara në forcimin e lidhjeve kulturore dhe historike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe përfaqëson një angazhim të fortë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që ndihmon në ruajtjen e identitetit dhe historisë së përbashkët të këtyre dy vendeve./UBTNews/