Institucioni i Presidentit të Republikës organizoi me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore aktivitetin “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, një ngjarje e veçantë që kishte në fokus veshjen popullore shqiptare.
Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e Zonjës së Parë të Republikës, Armanda Begaj, e cila shprehu përkushtimin e saj për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë etnografike shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e veshjeve tradicionale si pasuri kulturore.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin gra me kontribute të shquara në jetën kulturore shqiptare, ambasadorë dhe bashkëshortet e tyre, si dhe figura të njohura nga fusha të ndryshme të artit. Pjesëmarrësit u bashkuan në një festë të vërtetë të kulturës, ku veshjet tradicionale nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, si dhe ato nga Kosova dhe komunitetet arbëreshe, u paraqitën me larminë dhe origjinalitetin e tyre.
Veshjet e prezantuara ishin dëshmi e zhvillimit të hershëm të zejtarisë artistike, me elementë që pasqyronin historinë tonë ndër shekuj. Ato përfaqësuan mjeshtërinë e grave dhe vajzave shqiptare, të cilat me pasion kanë punuar për të ruajtur dhe transmetuar këtë pasuri kulturore.
“Ne shqiptarët kemi trashëguar ndër shekuj një pasuri të madhe të veshjeve popullore, të punuara mjeshtërisht nga gra e vajza,” u shpreh Armanda Begaj gjatë fjalës përshëndetëse. Ajo theksoi se këto veshje, përmes proceseve historike, sociale e kulturore, kanë krijuar identitetin tonë kombëtar.
Zonja e Parë vlerësoi në veçanti gratë që riprodhojnë veshjet popullore me fanatizëm, duke ruajtur origjinalitetin e tyre. “Sot ndoshta nuk endim më sa dikur, por kemi mundësi të ruajmë kulturën materiale dhe shpirtërore shqiptare, ta pasurojmë dhe ta trashëgojmë në brezat e ardhshëm,” theksoi Begaj, duke nxitur të pranishmit të krenohen me historinë tonë të pasur.
Pas sfilatës së veshjeve popullore, e shoqëruar nga vallet tradicionale të krahinave, të pranishmit ndanë mbresat e tyre mbi etnografinë dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare. Ky aktivitet jo vetëm që shënoi një homazh ndaj gruas shqiptare, por gjithashtu nxiti një reflektim të thellë mbi rëndësinë e identitetit kulturor në formimin e një kombi të fortë dhe të bashkuar./UBTNews/