Red Bull Racing po kalon një proces transformimi të madh në radhët e saj, pas largimeve të disa emrave të njohur nga pozitat drejtuese. Sidoqoftë, ekipi kampion nuk është shqetësuar për këto ndryshime, duke qenë se shumë nga teknikët e njohur janë transferuar te McLaren.
Sipas mediave, Red Bull ka vendosur të emërojë Hannah Schmitz në postin e shefit të strategjisë, zëvendësuese e Will Courtenay. Lajmi është konfirmuar nga Helmut Marko, i cili theksoi se “ndryshimet janë një evolucion normal, pasi kur je kaq i suksesshëm, njerëzit largohen. Por Hannah mund ta marrë atë rol”.
Hannah Schmitz, një inxhiniere 39-vjeçare me një diplomë në inxhinieri mekanike nga Universiteti i Kembrixhit, ka qenë pjesë e Red Bull Racing që nga viti 2009. Ajo filloi si “student i brendshëm” dhe me kalimin e kohës u bë një figurë kyçe në strategjitë e garave.
Me një përvojë të konsiderueshme në fushën e strategjisë, Schmitz ka provuar aftësitë e saj në situata të vështira, duke reflektuar qetësi dhe guxim. Ajo fitoi vëmendjen në vitin 2022, kur sugjeroi ndalimin e përsosur në pit gjatë Garës së Montekarlo, duke ndihmuar Sergio Perez të fitonte garën dhe Max Verstappen të siguronte një vend të tretë të çmuar.
Megjithatë, kryevepra e saj mbetet GP e Hungarisë në të njëjtin vit, ku sugjeroi vendosjen e gomave të buta për Verstappen, i cili nisi garën nga vendi i dhjetë dhe përfundoi duke fituar.
Me këtë emërim, Red Bull synon të vazhdojë serinë e sukseseve dhe të mbajë standardet e larta në botën e Formula 1. Hannah Schmitz duket se është gati për këtë sfidë të re dhe do të luajë një rol kyç në strategjitë e ekipit në garat e ardhshme./UBTNews/