UBT News

Transferimi i Diomandes mund t’i hapë rrugën Asllanit drejt Leipzigut dhe t’i komplikojë planet e Barcelonës

Fisnik Asllani vazhdon të jetë një nga emrat që Barcelona po e monitoron për repartin ofensiv, por një zhvillim tjetër në merkato mund ta komplikojë kalimin e sulmuesit të Hoffenheimit në “Camp Nou”.

Sipas gazetës spanjolle AS, Asllani është një prej alternativave që klubi katalonas po shqyrton në rast se Ferran Torres largohet gjatë kësaj vere. Megjithatë, situata mund të ndryshojë në varësi të lëvizjeve të tjera në treg.

Nëse talenti nga Bregu i Fildishtë, Yan Diomande, përfundon te Real Madridi, atëherë RB Leipzig pritet të rrisë interesimin për transferimin e Asllanit. Klubi gjerman e konsideron sulmuesin kosovar si zëvendësuesin ideal dhe është i gatshëm të veprojë shpejt për ta siguruar shërbimin e tij.

Një kalim i mundshëm i Asllanit te Leipzig do t’ia vështirësonte ndjeshëm Barcelonës realizimin e planeve të saj, pasi klubi spanjoll mund të mbetet pa një nga objektivat kryesorë për zëvendësimin e Ferran Torresit.

Kështu, transferimi i mundshëm i Diomandes te Real Madridi mund të krijojë një efekt domino në merkato, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e Fisnik Asllanit.

Ndërkohë, për transferimin e Diomandes te Reali kanë mbetur vetëm disa detaje. RB Leipzig kërkon rreth 120 milionë euro si shumë fikse, ndërsa klubi madrilen raportohet se po ofron afërsisht 100 milionë euro plus bonuse.

D.L

Exit mobile version