Në tryezën me temën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”, është thënë se trajtimi dhe parandalimi i dhunës së fëmijëve është i domosdoshëm.
Në këtë tryezë të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ministrja e MAShT, Arbërie Nagavci ka thënë se sfidë vazhdon të mbetet raportimi i rasteve të dhunës në shkolla.
“Raportimi vazhdon të mbetet si një nga sfidat shumë të mëdha […] Raportimi i këtyre rasteve vazhdon të jetë shumë i vogël gjatë viteve 2018-2019 kemi pas vetëm 18 raste të raportuara gjatë vitit 2020-2021 15 raste dhe viti 2021-2022 deri më tani janë 20 raste të raportuara. Raportimet deri në vitin e fundit deri më tani janë më të mëdha në krahasim me vitet e kaluara”, theksoi Nagavci.
Nagavci ka treguar se janë në proces të angazhimit të një numri më të madh të psikologëve dhe pedagogëve, e ku theksoi se aktualisht në nivel vendi janë 146 staf psikologë e pedagogë.
“Jemi në proces të angazhimit të një numri më të madh të psikologeve dhe pedagogëve në mënyrë që të ofrohet një shërbim profesional në shkolla. Këtu situata është mjaftë shqetësuese që në nivel komunash shumë herë buxheti që është ndarë për psikolog dhe pedagog është përdorur nga ana e komunave për punësime të kuadrove tjera. Ndonëse në buxhet janë paraparë 520 psikolog aktualisht në nivel vendi kemi gjithsej 146 staf psikologë dhe pedagogë”, tha ajo.
Ardian Gola, kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport tregon që dhuna në shkollë po vazhdon të jetë shqetësuese dhe se ëndrrat e fëmijëve janë një botë pa dhunë. Ai tregon një moment ku kishte qenë dëshmitar kur një fëmijë ishte goditur me shuplakë.
“Qëllimi i këtij takimi është diskutimi përkitazi me integrimin e politikave dhe shërbimeve për trajtimin ndaj dhunës së fëmijëve me fokus në shkollë […] Dhuna në shkollë mbetet një dukuri shqetësuese në vendin tonë, plagosjet me thikë e deri tek akti më i rende i marrjes se jetës janë raportuar e po raportohen në vazhdimësi kjo si formë më e dhunshme ndërkohë që format tjera të buta të dhunës ndaj fëmijëve i shfaqin pothuajse çdo ditë. Personalisht isha dëshmitare para dy dite se si një fëmijë goditej me shuplakë në fytyre në publik, ishte ngjarje goxha tmerruese, gjë që më bëri të kuptojë se në këtë tryezë jemi paksa të vonuar”, tha ai.
Larissa Brunn nga Zyra e UNICEF në Kosovë tha se statistikat janë ato që flasin vetë dhe se bashkërisht duhet t’i bashkojmë sektorët që ta trajtojmë këtë fushë.
“Format më të këqija të dhunës shihen nga syri publik, fëmijët sidomos fëmijët me aftësi të kufizuar dhe ata që jetojnë në varfëri dhe ata në kujdes institucional ata që janë ndarë nga familjet – janë më së shumti në rrezik të dhunës. Dhuna nuk është e pranueshme asnjëherë në asnjë rrethanë dhe është gjithmonë e parandalueshme…Dhuna në shkolla mund të zvogëloj pjesëmarrjen në shkollë dhe të rrisë shkallën e braktisjes së shkollës me pasoja”, u shpreh Burnn.
Petrit Tahiri anëtar i bordit të KOMF thotë se e vetmja zgjidhje për parandalimin e këtyre rasteve të dhunës së fëmijëve është trajtimi, referimi dhe raportimi.
“Ashtu siç janë të shumta dhe të larmishme shkaqet e dhunës në shkolla, po aq të shumta dhe të larmishme do të duhej të ishin edhe intervenimet. Pra qasja uniforme ndaj problemit të dhunës nuk është se do të sjellë rezultat. E vetmja gjë që do duhej të jetë uniforme për gjithë shoqërinë është angazhimi i gjithëve se rastet e dhunës pa marrë parasysh intensitetin e tyre të trajtohen, referohen dhe raportohen”, tha ai.
Deputetja nga AAK, Albena Reshitaj tha se dhuna në shkolla po vazhdon të jetë shqetësuese e për çka kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Madje ajo e quan të vonshëm takimin më tematikën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”.
“Ajo çfarë unë kam potencuar dhe që është e domosdoshme që edhe ne si politike-bërës ta shtyjmë përpara është që brenda programit për arsim në programin qeverisës 2021-2025 të kemi një program për zhvillim psikologjik dhe social të fëmijëve. Për mua është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë program adekuat për përkrahje emocionale dhe sociale për fëmijët duke u nisur nga kopshti, parashkolloret edhe nga niveli i ulet arsimor. Sepse nëse më të vërtet duam ta zgjidhim çështjen duhet ta luftojmë dhe punojmë shumë në parandalimin e pasojave”, u shpreh Reshitaj.
Në Kosovë, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020, 72% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë në mjediset familjare.