Edon Zhegrova është rikthyer pas një mungese nëntëmujore, duke kaluar një proces të gjatë transformimi fizik dhe mendor për t’u rikthyer në formë.
Ardian Sallahu, trajner atletik që ka tre vite pranë tij, ka qenë figura kyçe në këtë rrugëtim.
Ai hartoi planin e rikuperimit, duke filluar nga një dietë e personalizuar dhe stërvitjet e dedikuara në fushë e palestër.
“E ndihmova të përballonte stuhinë dhe të kthehej më i fortë. Ai është ndryshe nga më parë, i transformuar,” u shpreh Sallahu.
Së bashku me Benet Tolaj, Sallahu u kujdes jo vetëm për aspektin fizik, por edhe për atë psikologjik, duke e motivuar dhe duke nxitur energji pozitive.
“Ne nuk kërkojmë vetëm rezultate, por edhe zhvillim personal e profesional. Durimi, disiplinimi dhe pasioni janë çelësi i suksesit afatgjatë,” theksoi trajneri personal.
Sa i përket gjendjes aktuale, Sallahu dha sinjale optimiste për debutimin e Zhegrovës me Juventusin.
“Edoni është plotësisht i aftë të luajë 90 minuta pa asnjë problem”, shtoi ai./S.K/KP/TuttoSport/