Trajneri i Villarreal, Unai Emery e ka konfirmuar interesimin nga Newcastle United që ta rikthejë atë në Premier Ligën angleze, por ende nuk ka pranuar ndonjë ofertë.
Raportohet se Newcastle e ka bërë prioritet ish-trajnerin e Arsenalit, Emery, që të jetë zëvendësuesi i Steve Bruce, pas blerjes së klubit nga investitorët e Arabisë së Saudisë, Public Investment Fund (PIF).
Skuadra angleze e cila ka qenë e lidhur edhe me ish-trajnerin e Bournemouth Eddie Howe, spekulohet se dëshiron që ta ketë Emeryn në ulësen e trajnerit për ndeshjen e së shtunës kundër Brighton.
Në një deklaratë për media, pas fitores 2:0 të Villarrealit kundër Young Boys, Emery e konfirmoi që ka pasur kontakte mes tij dhe krerëve të Newcastle United.
“E vërteta është që ata kanë treguar interesim në mua, por nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk ka ndonjë ofertë. Nuk ka pasur hapa të tjerë. Jam i fokusuar te Villarreali. Duhet të ketë kontakt mes dy klubeve. Ideja ime është të jem këtu të dielën”, tha Emery.
“Fillimisht, do të flas me presidentin. Nuk do ta mbyll ose hapë derën për Newcastle. Nuk kam thënë jo, por do ta diskutojë këtë me Villarrealin. Jam tejet i lumtur. Nuk mund të them asgjë më shumë. Veçse kemi folur për spekulimet. Nuk ndihem shumë rehat, por jam i fokusuar për ndeshjen e radhës”, shtoi trajneri i Villarrealit.
Nën udhëheqjen e Unai Emery, këtë sezon Villarreali pozicionohet në vendin e 13 në La Ligan spanjolle, ku kanë regjistruar vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit, kurse në Ligën e Kampionëve zë vendin e dytë në grupin përkatës me gjithsej shtatë pikë, aq sa ka edhe Manchester United në vendin e parë.