Orges Shehi e mori në dorë së fundmi Ballkanin duke e pasuar Artim Pollozhanin, i cili e pati një eksperiencë të shkurtër në Suharekë.
Trajneri shqiptar thotë se ka mbetur i befasuar me kushtet dhe me mirësjelljen që e hasi në Kosovë, ndërsa synon të ketë sukses në futbollin kosovar, pas eksperiencave që i pati në Shqipëri si trajner tek Tirana, Partizani, Skënderbeu dhe te Kukësi.
Në fundjavën që shkoi, Shehi e shijoi fitoren e parë me kampionin e Kosovës duke e mposhtur Llapin në kuadër të xhiros së 17-të, 2:1, shkruan “Gazeta Express”.
“Unë në Kosovë po bëj rreth 10 ditë, e kam marrë drejtimin e skuadrës dy ditë përpara se të luanim ndeshjen e parë dhe dje ishte e dyta që arritëm ta fitonim një ndeshje të rëndësishme. Është një eksperiencë e re pasi nuk kisha ardhur shpesh në Kosovë dhe jam surprizuar për mirë për sa I përket angazhimit të njerëzve, kushteve sa i përket mirësjelljes mikpritjes dhe jam shumë i befasuar për mirë për çfarë gjeta”, deklaroi Shehi.
Ballkani gjendet 7 pikë prapa Dritës, që në fundjavë e humbi derbin e Anamoravës ndaj Gjilanit, duke e hapur kështu garën për titull.