Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka bërë thirrje që Cristiano Ronaldon të lihet i qetë. Kjo pasi mohoi spekulimet se superylli dëshironte të largohej nga kombëtarja pasi që u la në bankën rezervë në fitoren 6:1 kundër Zvicrës në kuadër të Kupës së Botës.
Ronaldo i nevrikosur mohoi spekulimet nga shteti i tij se ai donte të paketonte valixhet dhe të largohej nga kampi i tyre në Kupën e Botës, pasi zbuloi se ai do të ishte një zëvendësues në ndeshjen me Zvicrën.
Santos, me ndeshjen çerekfinale kundër Marokut në mendjen e tij, dëshiron që vëmendja te Ronaldo të ndalojë, dhe se 37 vjeçari nuk ka shprehur kurrë dëshirën për tu larguar nga kampi.
“Ai kurrë nuk më ka thënë se dëshiron që të largohet. Është koha për t’i dhënë fund kësaj. Ai u largua nga zhveshtorja kundër Zvicrës, u ngroh, bëri një vrapim që të festonte golat me bashkëlojtarët e tij”, tha Santos në një konferencë për media para ndeshjes me Marokun të shtunën.
“Ai i thirri shokët e skuadrës për t’i falënderuar për përpjekjet e tyre, por ai doli dhe u largua. Ai marshoi i vetëm. Le ta lëmë të qetë Cristiano Ronaldon”, shtoi më tej trajneri i Portugalisë.
Santos foli edhe për momentin kur i kumtoi lajmin Ronaldos që do të jetë rezervist, ku insistoi se kishin një bisedë normale dhe mund ta kuptonte pse lojtari nuk ishte i lumtur.
“Ai kurrë nuk më ka thënë se dëshiron të largohet. Ai nuk ma tha këtë mua. Duhet ta shihni se si është sjellja e tij. Ai festoi golat me bashkëlotjarët e tij, i falënderoi tifozët”, tha Santos.
“Kam pasur një bisedë me Cristiano Ronaldon. Ne folëm për skuadrën portugeze, por biseda e vetme që bëra ishte para ndeshjes kundër Zvicrës për t’i thënë se pse do të ishte zëvendësues. I thashë se nuk do të startonte në 1/16. Nuk ishte i kënaqur me bisedën, siç është e kuptueshme. Por ishte një bisedë normale ku të gjithë shfaqnin këndvështrimin e tyre“.
“Kur një lojtar është kapiten i Portugalisë dhe fillon ndeshjen nga banka rezervë, është normale që ai të mos jetë i lumtur. Kur i thashë se nuk do të luante si titullar, ai më pyeti nëse ishte një ide e mirë. Sigurisht që ai nuk ishte i lumtur. Por unë ju siguroj se ai kurrë nuk ka dashur të largohet”, shtoi më tej Santos.
Ky vendim i Santos erdhi si pasojë e reagimit të zemëruar të Ronaldos për t’u zëvendësuar në humbjen e Portugalisë në fazën e grupeve ndaj Koresë së Jugut.