UBT News

​Trajneri i njohur kërkon ta marr drejtimin e Suedisë

Pas shkarkimit të Jon Dahl Tomasson, Federata Suedeze e Futbollit ka nisur kërkimin për një trajner të ri të kombëtares. Një nga emrat që ka dalë në qarkullim është ai i Graham Potter, ish-trajner i Chelseat dhe së fundmi i West Ham United.

Potter, i cili aktualisht është pa angazhim, nuk e ka fshehur interesimin e tij për të marrë drejtimin e “Tre Kronorëve”.

Në një intervistë për një gazetë skandinave, ai deklaroi:

“Jam në Suedi tani, në shtëpinë time këtu. Jam i papunë dhe sapo u largova nga Premier League. Jam i hapur për çdo gjë, me të vërtetë, ku ndiej se mund të kontribuoj. Puna e trajnerit të ekipit kombëtar suedez është fantastike. Kam ndjenja për Suedinë. E dua vendin dhe e dua futbollin suedez. Kam shumë për të qenë mirënjohës në futbollin suedez. Pra, po, padyshim që do të ishte një mundësi fantastike për mua.”, tha ai.

Graham Potter ka një lidhje të veçantë me Suedinë, pasi në të kaluarën ka drejtuar ekipin Östersunds FK, me të cilin arriti suksese të mëdha, përfshirë edhe pjesëmarrjen historike në fazën e grupeve të Europa League.

Federata Suedeze ende nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar për kandidaturat, por emri i Potter shihet si një ndër më të mundshmit për të marrë drejtimin e kombëtares pas krizës së fundit të rezultateve./S.K/KP/

Exit mobile version