Kombëtarja e Kosovës do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku këtë muaj do të zhvillojë dy ndeshje, njërën si mysafirë kundër Suedisë dhe tjetrën si vendas kundër Gjeorgjisë.
Ndeshja e parë kundër Suedisë do të zhvillohet më datën 9 tetor në stadiumin “Friends Arena”, kurse ndeshjen e dytë ndaj Gjeorgjisë, “Dardanët” do ta zhvillojnë më 12 tetor si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, përcjell KosovaPress.
Para ndeshjes mes Kosovës e Gjeorgjisë, trajneri i kësaj të fundit ka mbajtur një konferencë për media, ku e cilësoi Kosovën si kundërshtarë të fortë që nuk duhet të nënvlerësohet.
“Duke e konsideruar kompozimin e kosovarëve, ku lojtarët e tyre luajnë në Napoli, Lazio, Roma dhe skuadra të tjera të mëdha, ne ende nuk kemi lojtarë që luajnë në këto lloje të skuadrave. Ne punojmë shumë dhe shpresojmë që në të ardhmen lojtarët tonë të luajnë në klube dhe liga më të forta, ky është qëllimi jonë”, tha Sagnol.
“Sidoqoftë, duhet shumë punë për ta arritur këtë gjë. Kur ne luajmë kundër një kombëtareje që lojtarët e saj luajnë në nivelet më të larta, nuk mund të themi që një ndeshje si kjo do të jetë e lehtë për ne, dhe ky është fakt”, shtoi trajneri i Gjeorgjisë.
Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Gjeorgjisë gjenden në Grupin B së bashku me kombëtaret e tjera si ajo e Spanjës, Greqisë dhe Suedisë.
Sa i përket renditjes, Kosova pozicionohet në vendin e katërt me katër pikë, dy më pak se Greqia në vend të tretë, kurse Gjeorgjia zë vendin e fundit në tabelë me vetëm një pikë të arkëtuar.