UBT News

Trajneri Foda synon ta nis me këmbë të mbarë rrugëtimin me Kosovën në Ligën e Kombeve

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka dhënë një deklaratë të rëndësishme për mediat përpara dy ndeshjeve të ardhshme të “Dardanëve” në kuadër të Ligës së Kombeve. Kosova do të fillojë rrugëtimin e saj në këtë kompeticion me një përballje ndaj Rumanisë më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe më pas do të udhëtojë për të sfiduar Qipron më 9 shtator.

Në një konferencë për media, Foda shprehu optimizëm dhe besim në formën e ekipit të tij. “Jemi në një formë jashtëzakonisht të mirë dhe të motivuar për të arritur rezultate pozitive. Pas përfundimit të miqësoreve, e kemi fokusuara të plotë në Ligën e Kombeve. Ndeshja e parë në shtëpi kundër Rumanisë është shumë e rëndësishme për ne. Ne do të japim gjithçka për të siguruar një fitore,” deklaroi trajneri gjerman.

Foda gjithashtu theksoi se për herë të parë do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje për formacionin e tij në krahasim me ndeshjet e kaluara. “Është një ndjenjë shumë e mirë të kesh kaq shumë lojtarë në formë të shkëlqyer. Lojtarë si Muriqi, Rrahmani, Zhegrova dhe Asllani kanë shënuar me skuadrat e tyre dhe shpresojmë që të vazhdojnë këtë formë të mirë edhe me kombëtaren,” shtoi Foda.

Në përfundim, 58-vjeçari u shpreh se synimi kryesor i Kosovës është të fitojë ndeshjen e parë dhe të renditet si kryesues në grup. “Qëllimi ynë është të fitojmë ndeshjen e parë dhe të jemi në krye të grupit. Ne jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka për të arritur këto objektiva dhe të dalim si të parët në grup,” përfundoi trajneri Foda.

Në grupin e Kosovës, përveç Rumanisë dhe Qipros, bën pjesë edhe Lituania, që do të jetë një tjetër sfidë për “Dardanët” në këtë edicion të Ligës së Kombeve./UBTNews/

 

 

Exit mobile version