Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e pranoi se Paris Saint-Germain ishte fitues i merituar në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër katalunasve që u mundën në rezultat 2-1, në Montjuic.
Barcelona kaloi në epërsi me Ferran Torres në minutën e 19-të, por PSG barazoi me 19-vjeçarin Senny Mayulu, ndërsa Gonçalo Ramos shënoi golin e fitores në minutën e 90-të.
“Pas 35 minutash, PSG mori kontrollin e ndeshjes. Nuk luajtëm në nivelin tonë më të mirë dhe ata e merituan fitoren,” tha Flick pas ndeshjes.
Ai foli edhe më tej duke shtuar se lodhja ndikoi në paraqitjen e skuadrës së tij në pjesën e dytë. Madje, Flick pranoi se Barcelona humbi strukturën në lojë dhe u dënua nga gabimet në mbrojtje, por lavdëroi performancën e mbrojtësit Eric Garcia.
“Duhet të mësojmë nga këto ndeshje dhe të përmirësohemi. Në Ligën e Kampionëve duhet të mbrosh dhe të sulmosh me intensitet për 90 minuta,” theksoi ai.
Barcelona tani do të kërkojë rikthimin në sfidën e radhës ndaj Olympiacos, ndërsa PSG përballet me Bayer Leverkusen./S.K/KP/