UBT News

Tragjedi në Ugandë, vritet futbollisti i njohur David Owori

Futbolli ugandez është në zi pas vdekjes tragjike të David Oworit, njërit prej futbollistëve më të njohur të vendit, i cili humbi jetën në moshën 27-vjeçare pasi u sulmua brutalisht nga grabitës të dyshuar pranë shtëpisë së tij në kryeqytetin Kampala.

Sipas policisë, Owori u sulmua pasi u rezistoi autorëve, të cilët tentuan t’ia grabisnin telefonin dhe sendet personale.

Dëshmitarët thanë se sulmuesit e goditën me gurë përpara se t’i merrnin sendet me vlerë, duke e lënë pa ndjenja në vendin e ngjarjes dhe më pas u larguan.

“Lojtari u zu në pritë nga banditë, ndërsa po i afrohej shtëpisë së tij. E lanë me lëndime të rënda”, deklaroi një zëdhënës i klubit.

Sulmi ndodhi të martën në mbrëmje, ndërsa Owori ndërroi jetë të mërkurën si pasojë e plagëve të marra.

David Owori ishte kapiten i SC Villa, kampionit në fuqi të Ugandës, ku shquhej si mbrojtës dhe mesfushor. Ai kishte veshur edhe fanellën e përfaqësueses së Ugandës, duke qenë një nga emrat më të respektuar të futbollit në vend.

Në një reagim prekës, SC Villa shprehu dhimbjen për humbjen e kapitenit të saj.

“Kemi humbur më shumë se një lojtar. Kemi humbur një udhëheqës, një vëlla dhe një mik”, thuhet në deklaratën e klubit.

D.L

Exit mobile version