Të paktën 14 persona kanë humbur jetën pasi një gomone që transportonte emigrantë u përplas me një anije të rojës bregdetare turke në provincën e Antalias.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës në brigjet e rrethit Finike. Sipas një deklarate zyrtare, anija e shpejtë u diktua nga autoritetet, por tentoi të largohej pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura për t’u ndalur.
Gjatë ndjekjes, gomonia u përplas me anijen e rojës bregdetare, duke shkaktuar viktima dhe të lënduar. Autoritetet arritën të shpëtojnë gjashtë emigrantë dhe një shtetas turk që ndodheshin në mjetin lundrues. Ndërkohë, 14 persona tjerë u gjetën pa shenja jete pas përplasjes fatale.
Pjesa tjetër e grupit prej 15 personash arritën të vazhdonin lundrimin derisa prekën tokën, ku edhe u kapën nga forcat e sigurisë. Roja bregdetare turke ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij incidenti tragjik.
Ky rrugëtim cilësohet si një nga tentativat e rrezikshme të emigrantëve për të kaluar përmes ujërave turke drejt Europës. /AlJazeera/
