Dy gra të reja me origjinë nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të shtunën në autostradën A5, pranë Appenweier, në landin e Baden-Württembergut në Gjermani. Lajmi është raportuar nga mediat gjermane, të cilat kanë publikuar detaje nga ngjarja tragjike.
Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi në drejtim të Karlsruhe, pasi fillimisht dy automjete u përplasën gjatë një manovre të ndryshimit të korsisë me shpejtësi të lartë. Si pasojë, automjetet mbetën të ndaluara në rrugë, duke detyruar drejtuesit e mjeteve që vinin pas tyre të frenonin papritur. Kjo shkaktoi një tjetër aksident zinxhiror, ku u përfshinë gjithsej pesë automjete.
Mediat gjermane raportojnë se dy gratë, të cilat po udhëtonin së bashku në një veturë, humbën jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Për shkak të aksidentit, autostrada A5 u mbyll për disa orë, ndërsa ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia intervenuan në vendngjarje. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Dëmet materiale vlerësohen të jenë mbi 100 mijë euro.
Identiteti i viktimave ende nuk është bërë publik nga autoritetet gjermane. Sipas raportimeve të mediave, ato ishin me prejardhje nga Kosova.
