Sulmuesi i Tenerifes, Jesus de Miguel, ka ndërruar jetë mëngjesin e së martës, më 3 nëntor, pas përplasjes së rëndë që pësoi një natë më parë në ndeshjen ndaj Andorrës, e vlefshme për La Liga 2.
Lajmi tragjik u konfirmua nga vetë klubi i Tenerifes përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Fillimisht, klubi kishte bërë të ditur se gjendja shëndetësore e futbollistit ishte përkeqësuar nga ana neurologjike. Ai ishte dërguar në Spitalin Universitar Nuestra Señora de Candelaria, ku po merrte trajtimin e nevojshëm.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, futbollisti nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes kundër FC Andorrës, në stadiumin “Heliodoro Rodríguez López”, kur De Miguel u përplas me portierin kundërshtar, Jesús Owono, teksa po luftonte për një top të lirë.
Përplasja ishte aq e rëndë sa ndeshja u ndërpre përfundimisht në minutën e 108-të, në mënyrë që ekipet mjekësore të ndërhynin në fushë. Pas ndihmës së parë, sulmuesi u transportua me urgjencë me ambulancë drejt spitalit.
Në njoftimin zyrtar, Tenerife shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e futbollistit:
“Me dhimbje të thellë, me një pikëllim të papërshkrueshëm dhe ende në pamundësi për ta besuar këtë lajm tragjik, CD Tenerife njofton ndarjen nga jeta të Jesús de Miguel Alameda, e cila ndodhi këtë të martë, më 3 nëntor 2026, në orën 08:00.
Nuk ka fjalë që mund të ngushëllojnë në këto momente dhe asgjë që mund ta lehtësojë dhimbjen e madhe që ka përfshirë të gjithë familjen e klubit. Jemi pranë familjarëve të tij të shkatërruar nga kjo humbje, pranë njerëzve të dashur dhe të gjithë tifozëve të Tenerifes, të cilët sot janë të pikëlluar nga ky përfundim tragjik.
Familja e Jesús de Miguel shpreh mirënjohjen për secilin mesazh ngushëllimi dhe mbështetjeje të pranuar, ndërsa njëkohësisht kërkon, me mirëkuptim, respektimin maksimal të privatësisë së saj në këto momente jashtëzakonisht të vështira.”
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. U prehtë në paqe!
D.L
