UBT News

Tragjedi në Bangkok: Të paktën 27 të vdekur nga zjarri në një lokal nate

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin e Tajlandës, ku të paktën 27 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu një lokal nate mjaft të njohur në Bangkok. Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje pak pas mesnatës, duke u përballur me skena kaotike ku klientët tentonin me dëshpërim të largoheshin përmes hyrjes kryesore, e cila tashmë ishte bllokuar nga flakët.

Kryeministri i vendit, Anutin Charnvirakul, konfirmoi numrin e viktimave nga vendi i ngjarjes dhe bëri me dije se dhjetëra të tjerë janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa shkaqet e sakta të kësaj tragjedie mbeten ende nën hetim.

Sipas dëshmisë së një muzikanti që po performonte në momentin e rënies së zjarrit, me të cilin kryeministri bisedoi personalisht, flakët nisën me shpejtësi të madhe pas një defekti te çelësi kryesor elektrik.

Pas shpërthimeve të njëpasnjëshme, paniku përfshiu të pranishmit që tentuan t’i shpëtonin tymit mbytës. Shumë prej tyre bënë gabimin fatal duke u drejtuar nga pjesa e pasme e ndërtesës për t’u strehuar në tualete, vend ku autoritetet gjetën edhe pjesën më të madhe të trupave të pajetë. Lokali ku ndodhi ngjarja, i identifikuar si “Rong Beer Na Lat Phrao” në distriktin Chatuchak, njihej si një nga pikat më të frekuentuara dhe më të populluara të argëtimit në atë zonë. /Daily News/  /E.A/

Exit mobile version