Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar se nga 13 shkurti 2026 do të hyjnë në grevë.
Në një njoftim për menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes publike thuhet se më 26 janar janë parashtruar kërkesat dhe paralajmërimi për hyrje në grevë.
Meqë nuk ka pasur përgjigje deri më 6 shkurt, punëtorët kanë njoftuar se greva nis më datë 13.
Kërkesat e punëtorëve të “Trafikut Urban” përfshijnë përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, me qëllim që të mos cenohen interesat publikë dhe siguria e qytetarëve.
“Ju rikujtojmë se më datë 26.01.2026 është bërë njoftimi paraprak lidhur me kërkesat e parashtruara dhe paralajmërimin për hyrje në grevë në rast të mosmarrjes së përgjigjes. Duke qenë se deri më datë 06.02.2026 nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente, ju njoftojmë se punëtorët do të hyjnë në grevë më datë 13.02.2026. Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë shërbimet publike me interes të përgjithshëm, garantohet respektimi i minimumit të procesit të punës, në mënyrë që të mos rrezikohet interesi publik dhe siguria e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Trafiku Urban” dhe transportuesit privat në Prishtinë për shkak të borxheve të pashlyera kishin ndërprerë shërbimet për nëntë ditë vitin e kaluar.
