Dasmat në Indi nuk karakterizohen vetëm me festë, por karakterizohen edhe nga disa tradita dhe rituale strikte. Për shembull, data e dasmës përcaktohet nga horoskopi i nuses dhe dhëndrit, jo nga preferencat e tyre. Ekzistojnë gjithashtu disa rregulla që diktojnë se si duhet të duket nusja në ditën e dasmës, pse duhet të veshë fustan të kuq e jo të bardhë, vendosja e pikës së kuqe në ballë e shumë zakone tjera.
1.Astrologjia përcakton datën e dasmës
Astrologjia luan një rol mjaft të rëndësishëm në kulturën hindu. Megjithatë, nuk është lloji i astrologjisë që haset në botën perëndimore. Astrologët në Indi i ndihmojnë njerëzit të marrin vendime të rëndësishme, madje duke ua përcaktuar edhe datën e dasmës. Njerëzit hindu besojnë se nëse data e martesës llogaritet në bazë të horoskopit të dhëndrit dhe nuses së ardhshme, martesa do të jetë e gjatë dhe e lumtur.
2.Nusja dhe dhëndri duhet të shkëmbejnë kurora lulesh
Një nga ritualet e rëndësishme që kryhet në dasmat indiane është shkëmbimi i kurorave. Në kohët e lashta, ky shkëmbim konsiderohej si pranimi i propozimit për martesë të çiftit. Nusja dhe dhëndri i dhurojnë njëri-tjetrit kurora të bëra me lule dhe që mbajnë aromë. Në ditët e sotme, kjo simbolizon dashurinë dhe respektin e të porsamartuarve.
3.Një vajzë mund të martohet me një pemë apo një qen
Në Indi, ekziston mundësia për t’u martuar jo vetëm me një qenie njerëzore, por edhe me një pemë apo edhe një tenxhere. Kjo praktikë e pazakontë ka një shpjegim kulturor.
Nëse një grua u lind në një periudhë të caktuar kohore – kur grafiku bart planetin Mars (Mangala), ajo quhet “manglike”. Disa njerëz hindu besojnë se gratë manglike kanë fat të keq që mund të shkaktojë probleme me burrat ose familjet e tyre në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse gruaja manglike mund të zgjedhë të “martohet” me një pemë, qen ose tenxhere përpara martesës së saj të vërtetë për të shmangur mallkimin. Pas ritualit, tenxherja shkatërrohet së bashku me fatin e saj të keq.
4.Këmbët e dhëndrit lahen me qumësht dhe mjaltë
Në disa komunitete Guxharat, kur dhëndri shkon në shtëpinë e nuses, vjehrra e tij kryen një ritual të pazakontë: ia lan këmbët dhëndrit me qumësht dhe mjaltë. Një përzierje e tillë quhet Madhuparka. Rituali besohet të jetë një nga mënyrat e lashta për të mirëpritur mysafirët.
5.Pluhur i kuq vendoset në flokët e nuses
Kur një grua martohet, në pjesën e flokëve të saj aplikohet një pluhur kozmetik me ngjyrë të kuqe ose portokalli, i quajtur sindoor. Kjo shenjë që nga kohërat e lashta shërben si një vërtetim i statusit martesor dhe shumë gra e aplikojnë atë edhe pas dasmave të tyre.
6.Këna aplikohet në duart dhe këmbët e nuses
Mehendi është ndoshta tradita më e njohur e dasmës indiane. Para dasmës, nusja zbukuron këmbët dhe duart e saj me këna. Rituali Mehendi ndodh kur nusja dhe familja e saj mblidhen së bashku. Besohet se këna promovon pjellorinë dhe largon shpirtrat e këqij për çiftin.
7.Nusja nuk vesh fustan të bardhë
Ndryshe nga vendet e tjera, nuset indiane nuk mund të veshin fustane të bardha në dasmë pasi veshjet në këtë ngjyrë zakonisht përdoren për zi, sipas kulturës hindu. Në vend të kësaj, gratë veshin sari me ngjyra të gjalla, duke preferuar të kuqen shumicën e kohës pasi ajo ka një sërë konotacionesh pozitive në kulturën indiane.
8.Nusja hedh oriz mbi kokë
Në fund të dasmës, një nuse duhet të bëjë ritualin e fundit, Vidaai, për t’u thënë “lamtumirë” prindërve të saj. Gjatë këtij rituali, nusja duhet të hedhë oriz mbi kokën e saj dhe nëna e saj që qëndron prapa duhet ta kapë atë. Është gjithashtu një mënyrë simbolike për të falënderuar prindërit për gjithçka që kanë bërë për vajzën e tyre./UBTNews