UBT News

Tradita takon bashkëkohoren, ekspozita ‘Nëntori 28’ në FAB

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) vijon të mirëpresë vizitorë ekspozita vjetore e Grupimit “Nëntori”, një traditë tashmë e konsoliduar në artin shqiptar.

Ky është edicioni i 28-të i grupimit, i themeluar në vitin 1998, në një kohë kur mediumet e reja artistike—si instalacioni, videoja dhe performanca—po e zbehnin rolin e pikturës.

Pikërisht atëherë, Llambi Blido, Besim Tula dhe Stefan Taçi, së bashku me figura të shquara të pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, si Sadik Kaceli, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Ksenofon Dilo, Isuf Sulovari, Agim Zajmi, Zef Shoshi, Niko Progri e të tjerë, e krijuan këtë ekspozitë si një manifestim të dedikuar promovimit të pikturës në vlerat e saj më të mira.

Në fund të viteve 2000, grupimi u zgjerua edhe me emra të rinj dhe autorë të rëndësishëm të skenës bashkëkohore, Gazmend Leka, Anastas Konstandini, Vangjo Vasili, Pëllumb Bylyku, Eniela Veveçka, Shpëtim Kërçova, Brikena Bërdo, Mikel Temo, Ardit Boriçi, Erion Bardhi, Artan Buca, Armando Boce, Dea Tili, Orlis Vathi, Erina Dibra, Denisa Brahimi, Meri File, Fatmir Juka, Nesti Taço, Aurel Nukaj e të tjerë.

Sot, dallimet dhe debatet mes mediumeve artistike janë zbehur, grupimi ka vijuar të zgjerohet me prurje të reja dhe energji të freskëta.

FAB thekson se edicioni i 28-të dëshmon jetëgjatësinë e “Nëntorit” dhe përmbushjen e misionit të tij fillestar: promovimin e pikturës dhe pasqyrimin e jetës bashkëkohore përmes këtij mediumi. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version