Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, sot është prezantuar trajneri i ri Përfaqësueses së Kosovës U21, Afrim Toverlani.
Më të nisur fjalën e tij, ai tregoi se do të jetë një grumbullim i kësaj kombëtareje për të pasur idenë e parë mbi gjendjen e lojtarëve dhe me pas foli për objektivat për të cilat tha se fillimisht do të jenë shumë modeste.
“Synimet do të jenë, më tepër mund të flas për synimet pas takimeve, grumbullimeve që do t’i kemi me futbollistët dhe ta shohim se çfarë skuadre mund të krijojmë nga këta futbollistë që do t’i ftojmë dhe do të varet shumë edhe nga shorti. Sepse synimet normal janë gjithmonë të secilit të ketë rezultate më të mëdha, ta kërkojë kualifikimin, mirëpo personalisht do të nisem më tepër me një modesti dhe gjatë rrugës do ta shoh se cilat mund të jenë objektivat të cilat mund t’i arrijmë”, tha Toverlani.
Ai më tutje zbuloi se ka pasur edhe tre apo katër oferta nga disa klube, duke përmendur edhe Shkëndijën e Tetovës, por që i ka refuzuar ato për ta drejtuar kombëtaren e grupmoshave të reja.
“Vitin e kaluar kam refuzuar tri oferta. Nuk kam dashur të shkojë çdokund, nuk kam dashur të punoj çdokund dhe falë Zotit i kam do kushte modeste që jo patjetër më duhet të punojë për ta siguruar një mbijetesë. Pra edhe kur të më vijnë ofertat i shqyrtoj nëse më plotësohen mua dhe atyre kushtet e përbashkëta ta marr atë detyrë. Para një javë kam pasur telefonatë, jo ofertë zyrtare por vetëm telefonatë për Shkëndijën e Tetovës, mirëpo unë jam tashmë te U21-shi dhe jo me doemos kam pranuar çdokund të punojë”, tha Toverlani.
Krejt në fund, Toverlani foli edhe për faktin se lojtarët po ikin nga Kosova drejt Shqipërisë, siç ndodhi së fundi me Medon Berishën, dhe Toverlani u tregua mjaft i ashpër me ata që e ndërmarrin një hap të tillë. Sipas tij, këta lojtarë duhet të mendojnë mira para se të largohen sepse më vonë po kërkojnë që të rikthehen.
“Dera e Federatës së Futbollit është e hapur për të gjithë futbollistët kosovarë kudo që janë. Ka futbollistë të cilët edhe po zgjedhin, por kjo është krijuar një veti jo e mirë. Nëse vjen, p.sh, je te Kosova për dy ndeshje në bankën e rezervistëve dhe menjëherë po e gjen një arsye ‘jo unë po shkoj të Shqipëria’, ne jo që duam ta ndalim dikë që të luajë për Shqipërinë, mirëpo nuk është korrekte të vish me kushtëzime nëse dëshiron ta përfaqësosh shtetin tënd. Mos harroni që për këtë shtet, për këto fanella është sakrifikuar shumë. Ata që mendojnë që mendojnë që e kanë diku tjetër më mirë, nuk po them mos ta zgjedhin atë rrugë, mirëpo është mirë të mendohen shumë mirë sepse mandej po vjen koha, ka edhe prej atyre që kanë kërkuar prap të kthehen”, ka thënë në fund Toverlani.
Toverlani gjithashtu në fund zbuloi se pjesë e stafit të tij teknik do të jenë edhe Genc Hoxha, Primoz Gliha, Liridon Kukaj dhe Naser Prapashtica tek sektori i portierëve.
I pranishëm në prezantimin e Toverlanit ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Në fund trajneri i Kombëtares U21 publikoi edhe listën prej 25 lojtarëve për grumbullimin e parë nën urdhrat e tij.