UBT News

Tottenhami nuk është në shitje

Tottenham Hotspur ka mohuar zërat për një shitje të mundshme të klubit pas dorëheqjes së Daniel Levy-t, i cili u largua javën e kaluar pas pothuajse 25 vitesh në krye të klubit londinez.

Në një deklaratë zyrtare, aksionari kryesor ENIC Sports & Developments Holdings Ltd konfirmoi se ka marrë dhe ka refuzuar dy shprehje paraprake interesi për blerjen e aksioneve.

Njëra ofertë erdhi nga PCP International Finance Limited, kompania e Amanda Staveley, ish-aksionere e Newcastle United, ndërsa tjetra nga një konsorcium i udhëhequr nga Dr. Roger Kennedy dhe Wing-Fai Ng përmes Firehawk Holdings Limited.

Megjithatë, ENIC, që zotëron 86.5% të aksioneve të Tottenham-it dhe është nën kontrollin e biznesmenit britanik Joe Lewis dhe familjes së tij, bëri të qartë se klubi nuk është në shitje dhe nuk ka asnjë qëllim të pranojë oferta të tilla.

“Bordi i klubit dhe ENIC konfirmojnë se Tottenham Hotspur nuk është në shitje”, thuhet në deklaratë.

Dorëheqja e Levy-t ka hapur shumë spekulime mbi një ndryshim të mundshëm pronësie, por drejtuesit e Tottenham-it i kanë hedhur poshtë këto zëra. Në prill, klubi emëroi Vinai Venkatesham si drejtor ekzekutiv, ndërsa Peter Charrington mori postin e kryetarit jo-ekzekutiv, një rol i ri që u krijua pas largimit të Levy-t.

Klubi theksoi se nuk do të ketë ndryshime në pronësi apo strukturën e aksionarëve, duke synuar stabilitet në një periudhë tranzicioni pas një epoke të gjatë nën drejtimin e Daniel Levy-t./S.K/KP/

 

 

Exit mobile version