Tottenham me Ange Postecoglou po bën mjaft mirë në stolin e londinezëve dhe po lufton për një vend në zonën Champions, ndërkohë që drejtuesit po punojnë për t’i përforcuar organikën në merkaton e verës.
Spurs kanë hedhur sytë nga Barcelona, ku pëlqehen jashtëzakonisht shumë dy futbollistët e katalunasve, braziliani Raphinha dhe holandezi Frenkie De Jong.
Të parin Tottenham provoi ta marrë edhe verën e kaluar, por nuk ia doli dot, pasi Barcelona rriti ndjeshëm pretendimet. Megjithatë tashmë edhe vetë Raphinha duket i vendosur të lërë Barcelonën, ashtu si De Jong, që është duke luajtur sezonin e pestë me spanjollët dhe nuk ka arritur të shndërrohet në titullar të padiskutueshëm.
Londinezët janë duke përgatitur një ofertë prej 120 milionë eurosh, për të marrë në Premier League të dy futbollistët, shifër kjo që josh jo pak Barcelonën, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të investojë për të sjellë lojtarë të tjerë në “Camp Nou”./UBTNews/